Pse po heshtë PDSH, çfarë ane do të mbajë?!

0

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) pas raundit të parë të zgjedhjeve dhe humbjes së një pjese të elektoratit të saj vazhdon të heshtë duke mos u deklaruar se me cilin koalicion do të bëhet apo do ta përkrahë për raundin e dytë zgjedhor.

Burime partiake bëjnë të ditur se përfaqësues të kësaj partie kanë zhvilluar takime me përfaqësues të BDI-së ku janë dakorduar për përkrahjen e ndërsjelltë në raundin e dytë. Por ende asgjë nuk është zyrtare. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi edhe pas përfundimit të zgjedhjeve deri tani nuk ka dalur për të shprehur qëndrimin e tij.

PDSH në zgjedhjet lokale pësoi debakël të rëndë në shumë komuna, ku ajo kishte vota të konsiderueshme.

Kreu i kësaj partie është parë vetëm në takimin me kryeministrin Edi Rama gjatë qëndrimi në Shkup, por duke iu shmangur mediave për deklaratë.

Kandidati i PDSH-së për kryetar në Komunën e Tetovës, Bardhyl Dauti ka shprehur qëndrimin e kësaj partie në lidhje me zgjedhjet lokale.

“Në këto zgjedhje ne si parti kemi qenë të vetmuar për dallim nga partitë tjera shqiptare që kanë pasur koalicione me partitë tjera maqedonase. Ndoshta koalicioni i partisë në pushtet nuk është i çuditshëm pasi që koalicioni BDI-LSDM ishte publik, transparent dhe i paralajmëruar, ndërsa koalicioni i fshehur i BESË-s dhe Aleancës me VMRO-DPMNE-në në komuna të caktuara ishte përcaktuese për rezultatet e këtyre zgjedhjeve”, tha Dauti.

Ai shtoi se nëse shikojmë rezultatet e zgjedhjeve në Strugë, Dibër, Gostivar, Bogovinë, dhe Negotin-Vrapçisht duket qartazi bashkëpunimi i ngushtë mes Aleancës dhe VMRO-DPMNE-së.

“Po ashtu nëse i shohim rezultatet në komunat e Brvenicës, Tetovës, Tearcës, Sarajit dhe Çairir, duket qartë koalicioni BESA – VMRO-DPMNE”, shtoi Dauti.

Ndryshe, Dauti për Komunën e Tetovës ka qenë në garë me Bilall Kasamin nga Lëvizja Besa, Teuta Arifi nga BDI, Adnan Neziri nga ASH dhe Goran Manojloski nga radhët e OBRM-PDUKM. Kandidati i PDSH-së në Tetovë arriti të sigurojë 4564 vota, ndrësa e para ishte Teuta Arifi me 13246, e ndjekur nga Bilall Kasami me 8755.

Comments

comments