Nxënësit e Bogovinë mësojnë në çajtore e xhami

0

Kjo shkollë në Novo Sellë të Bogovinës u dogj para tre muajve nga një kabllo e vjetër.Nga ajo ditë asgjë nuk është ndërmarrë për renovimin e saj. Shkolla vazhdon të mbetet në rrënoja dhe në mungesë të shkollës nxënësit mësimin po e ndjekin në xhami, çajtore dhe ambulancë.
“Nuk po mësohet, më mirë në shkollën e vjetër, se sa këtu”, tha një nxënëse.

“Mësimin e zhvillojmë në kushte shumë të vështira, pas djegies së shkollës. Nxënësit kanë dëshirë më të madhe të ndërtohet shkolla. Gjithnjë pyesin se kur do të ndërtohet, atje kishim kushte e mira”, tha një mësimdhënës.

Drejtori i shkollës, thotë se të gjitha dokumentet janë bërë gati dhe janë dërguar në Ministrinë e arsimit, dhe se tani pritet përgjigje. Ai shpreson se këta nxënës deri në fund të vitit do të hynë në objekt të ri.

“Sipas vullnetit të të gjithë aparatit të shtetit, shpresojmë se në shkollën e rinovuar do të hymë në fillim të vitit ri shkollorë 2018-2019, por nëse nuk hymë me 1 shtator do të hymë me 1 tetor, këtë vit kalendarik shpresojmë të arrimë të hymë në një objekt të ri”, u shpreh Taip Miftari, Drejtor i Shkollës 11 Tetori Bogovinë.

Përgjegjësi për arsim në Komunën e Bogovinës, thotë se kjo shkollë do të ndërtohet nga themeli dhe presin nga ministria e arsimit, për hapjen e tenderit.

“Shpresoj se muaji i dytë ose marsi, duhet të filloj procedura administrative dhe pasi që bëhet fjalë për një fshat kodrinor malor, duhet të presim për krijimin e kushteve atmosferike të fillojmë me punë në ndërtimin e godinës shkollore”, tha për Tv 21 Nuriman Tefiku, përgjegjës për arsim nga Komuna e Bogovinës.

Nga ministria e arsimit thonë se do të dalin me një plan konkret lidhur me investimet kapitale. Se a do përfshihet edhe kjo shkollë mbetet të shihet.Ndryshe në këtë shkollë mësimin e ndjekin rreth 200 nxënës.

Comments

comments