Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Greqisë, e domosdoshme, por mungon transparenca

0

Nga Ervis Iljazaj

E gjithë historia e negociatave të domosdoshme dhe të pashmangshme midis Greqisë dhe Shqipërisë për të zgjidhur konfliktet që ekzistojnë prej dekadash, ka një dallim thelbësor për mënyrën se si po zhvillohen ato.

Nëse politika greke çdo ditë del në deklarata publike për t’iu shpjeguar qytetarëve të saj se çfarë ndodh në këto negociata, në kampin shqiptar ka një errësirë totale që nuk është aspak normale në këto raste.

Jo vetëm kaq, por se çfarë po ndodh vërtet me këtë marrëveshje që po përgatitet të marrë jetë, shqiptarët po e mësojnë nga mediat greke.

Sa herë që flitet për çështjet e pazgjidhura ende midis Shqipërisë dhe Greqisë, ka një vëmendje të shtuar në opinionin publik, pasi janë çështje që zgjojnë shumë sensibilitete dhe për këtë arsye ngjallin reagime shpeshherë që dëmtojnë çdo proces që është duke u zhvilluar, i cili është jetik për integrimin në BE të Shqipërisë.

E megjithatë, nuk është faji i askujt që Kryeministri nuk bën detyrën, t’iu shpjegojë shqiptarëve se çfarë po ndodh me fatin e territorit të tyre, me dinjitetin dhe historinë e shqiptarëve apo për të gjitha ato që janë pjesë e diskutimeve midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Dje, Kryeministri Rama, iu tha shqiptarëve dhe kritikëve se duhet të kenë durimin të presin deri sa të përfundojnë marrëveshja. Në fakt, durimi i shqiptarëve është më i madh seç duhet.

Askush nuk ka pse bën durim për të ditur se çfarë do të ndodhë me vendin e tij. Prandaj është totalisht e kundërta, është Kryeministri ai që duhet të ketë durimin të na shpjegojë se çfarë po ndodh përpara se të hedhë firmën në këtë marrëveshje.

Sepse, në të kundërtën, ashtu sikurse po ndodh që tani, kjo errësirë në të cilën po zhvillohen këto negociata do të krijojnë tensione politike dhe shoqërore, duke vënë në dyshim mbylljen më sukses të marrëveshjes, që për hir të së vërtetës është shumë e rëndësishme për integrimin. Pa zgjidhur mosmarrëveshjet me fqinjët është pothuajse i pamundur ky proces.

Prandaj i gjithë problemi nuk është fakti se çfarë do japë Shqipëria për këtë marrëveshje, por transparenca që mungon për të krijuar një marrëveshje që ka nevojë për konsensusin paraprak të opinionit publik dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet një procesi të hapur.

Me shumë mundësi, Shqipëria do të jetë e detyruar të japë për të arritur objektivat e saj, ndoshta, më shumë seç duhet, dhe për këtë nuk duhet të jemi të papërgatitur. Sepse është një marrëveshje që e kemi të domosdoshme. Në këtë drejtim, diskutimet dritëshkurtra se Greqia po na e “hedh”, apo kjo qeveri është “tradhtare”, janë diskutime të cilat nuk shërbejnë për asgjë. Përkundrazi, negociatat mund të konsiderohen sukses i kësaj qeverie, nëse do kishte më shumë kujdes për të shpjeguar paraprakisht se çfarë do të ndodhë me to.

Mirëpo, duke qenë se çështja është shumë sensible, frika se do të humbasë konsensus në opinionin publik, e ka bërë qeverinë të zhvillojë këto negociata në sekret të plotë. Një sjellje aspak prej Kryeministri të përgjegjshëm, por prej një Kryeministri që mundohet vetëm të sigurojë mbështetje popullore, pa u shqetësuar se çfarë kostoje ka ajo për vendin. Në këtë kuptim, e gjithë historia me negociatat midis Greqisë dhe Shqipërisë, duhet të ndërgjegjësojë shqiptarët, se ajo është e domosdoshme dhe e pashmangshme, edhe me kostot që mund të ketë, gjë të cilën Qeveria nuk po e bën, por përkundrazi është duke mbajtur çdo gjë të fshehtë.

SHPËRNDAJE

Facebook
Twitter

Comments

comments