Intervista e fundit – e papublikuar e Dritëro Agollit: Letërsia e mirë është e përjetshme, politika është e përkohshme!

0

Lulet e ditëlindjes ishin ende të freskëta në apartamentin e vogël të Dritëroit. Kishte kaluar veç pakëz kohë nga dita kur ai fryu 85 qirinj mbi tortë duke i thënë vdekjes “Prit dhe pak”.

Ishte i lumtur dhe energjik ato ditë feste, sa ngjante sikur kishte larguar beftas të gjitha lëngatat që e kishin izoluar brenda mureve të shtëpisë vite me radhë.

Ato ditë tetori, gruaja e tij Sadije Agolli nuk i thoshte dot jo dëshirës sime të madhe për të pasur në CV një intervistë me gjeniun e letrave shqipe. Më shumë se kaq, kërkesa mund të shihej si një ëndërr që po përpiqej të shndërrohej në kujtim të paharrueshëm.

Teksa ngjisja me radhë shkallët e betonta drejt apartamentit të tij tek “Pallati me Kube”, kujtesa më gërvishtej nga gjurmët e hershme të fëmijërisë kur shoqëroja gjyshin tim të ndjerë për të takuar mikun e mirë që ndryshe nga bashkëmoshatarët e mij nuk e takoja vetëm nëpër libra. Gjithsesi, këto detaje i takojnë fletëve të një ditari tjetër.

Sadija na priste në katin e katërt të pallatit ku na hapi derën për të na shoqëruar tek tryeza ku qëndronte poeti. “Andrea, është lodhur pak nga vizitat e shumta që ka pasur këto ditë. Të lutem, nuk do ta mundojmë shumë”, më pëshpëriti zonja Agolli duke kërkuar mirëkuptimin tim. I pohova me kokë.

Dritëroi, kishte thithur përgjatë të gjithë mesditës oksigjen nga bombola që prej vitesh ishte e pandarë për të. Qëndronte i qetë, i qeshur dhe pa zemëratë sikur donte të tregonte përmes mimikës se mosha është thjesht numër që thjesht kapërcen një datë kalendari.

Ne u përshëndetëm, ndamë urime, përcollëm mesazhe dhe në fund gërshetuam një bisedë të gjatë nga dita e lindjes në fshatin Menkulas të Devollit dhe deri ato ditë kur festonte “85 vite dritë” në mes të Tiranës.

“Unë gjithmonë i kam dashur devollinjtë, sepse atje më ka rënë për herë të parë koka në tokë. Në fëmijëri për mua atdhe quhej shtëpia dhe fshati. Unë ashtu mendoja, por kur u rrita mësova se atdheu ishte shumë më i madh. U linda dhe u rrita në Menkulas të Devollit ku që në moshën nëntë vjeç kam mësuar të lëroj tokat edhe me paramendë edhe me damaluk. Kujtoj edhe shumë lojëra. Kam luajtur me fëmijët ashikë duke marrë një pjesë të gjurit të deleve. Shkonim laheshim në lumin Devoll dhe adhuronim këngët e bilbilave që këndonin në mëngjes herët dhe në mbrëmje”, tregonte Dritëroi teksa ndërtonte për ne edhe njëherë ngjarje që kishin shënjuar jetën e tij.

Në krijimtarinë letrare një hapësirë të madhe gjen lumi Devoll të cili Agolli është përpjekur ta vendosë në poezi dhe prozë si të ishin ujëra që buronin nga përrallat.

“Unë kam qenë në botë në shumë vende. Kam qenë në Francë, kam qenë në Kinë, Gjermani, Itali dhe komplet vendet e Ballkanit. Të gjithë kryeqytetet kishin lumenj dhe unë kur i shihja teksa gurgullonin, dëgjoja çuditërisht vetëm valët e lumit Devoll. Më përzjeheshin, bashkoheshin ashtu siç është bashkuar sot Evropa. Mua më bashkonin lumenjtë, gurgullima e lumit Devoll që e kam marrë gjithmonë me vete”, rrëfente poeti që thuajse gjysmën e krijimtarisë ja ka kushtuar vendlindjes.

“Unë gjithmonë shoh në ëndërr Devollin. Sepse është si djep dhe pagjumësia imë e natës e lëkund ai djep deri sa më ze gjumi. Vërtet nuk kam dashur ta turpëroj vendin tim, por të dilja një njeri që të thoshin që ky është nga Menkulasi nga Devolli. Mua më bëhet qejfi nga kjo anë që devollinjtë janë shumë të zotë dhe sot kur i takoj më lëviz në duar dhe në mendje e gjithë puna e tyre”, thoshte ai teksa mundohej të thithte një cigare të lehtë të cilën e fikte dhe e ndizte pa menduar për pengesat në frymëmarrje.

Ndërkohë pas fëmijërisë Dritëroi solli në vëmendje edhe gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër ku mori bazat e formimit letrar.

“Pasi mori drejtim jeta ime, unë shkova në gjimnazin ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër. Atje kemi pasur pedagogë të mirë. Kujtoj profesorët e nderuar që ishin arsimuar jashtë, si Shaban Demiraj, Vehbi Bala, Gaqo Harilla, Rustem Buzo dhe të tjerë. Nuk ishin gallofë, por të përgatitur. Edhe sot ka profesorë të mirë por janë të rrallë”, rrëfente me kujdes poeti ku pas çdo pyetje merrte me të dyja duart nga tryeza gotën e gjysmuar me raki të fortë rrushi për të na i bërë gëzuar. Duart i dridheshin nga parkinsoni i tmerrshëm që nuk u dorëzua deri në frymën e fundit.

Pija është një tjetër dashuri e madhe për poetin sa nganjëherë nuk ka nguruar ta quajë edhe si shoqe të jetës që i ka zbukuruar krijimtarinë.

Ai ka mjaft histori që lidhen mes tij dhe alkoolit, por për ne ka zgjedhur një ngjarje gjatë viteve të komunizmit kur priti një shkrimtar italian në Shqipëri.

“Kur bëhej njëherë festa e Dëmbravës, kishim ftuar një shkrimtar italian të quajtur Mario Biondi. I pranishëm ishte edhe Pali Miska dhe njerëz të rëndësishëm të byrosë politike. Mirëpo, në tryezën tonë nuk kishte gota për të pirë raki. I thashë, prit Mario se do gjejmë një zgjidhje. Mora disa speca të mëdha, i preva bishtin, i hoqa zemrën dhe ja mbusha me raki. ‘Pije’, i thashë, ‘tani të shijon më mirë’. Kur shkoi në vendin e tij shkroi një artikull që bëri shumë zhurmë pasi përshkruante zëvendësimin e gotave që mungonin. Fjala shkoi deri në Komitetin Qendror ku pati një reagim të ashpër pasi nuk duhet të thoshim që s’kishte gota. Artikulli ishte i bukur dhe pozitiv, pavarësisht këtyre detajeve”, kujtonte Dritëroi nostalgjinë e viteve të shkuara.

“Tani pi shumë pak pasi ja ka ndaluar rreptësisht doktori. Gjithsesi ai s’mund ta heqë pasi e ka konsumuar gjithë jetën”, na njofton Sadija duke vështruar në sy Dritëroin si të ishte takimi i tyre i parë.

Çifti ngelet simboli tipik i dashurisë “deri sa vdekja t’na ndajë”.

“Sadija më ka shtypur artikujt dhe librat. Ka mbaruar për gjuhë-letërsi dhe e njeh mirë shqipen. Të gjithë sëmundjet që kam kaluar nga rinia kam pasur pranë Sadijen në spital. E pa sëmurur kjo, por ka pasur një krevat se do llafoseshim”, thoshte poeti për gruan e jetës.

Muret e apartamentit të tij veç psherëtimave të poezive, avujve të alkoolit dhe tymit të duhanit, mbanin mjaft punime të veçanta artistike.

Diku qëndron portreti i Naimit, diku është fiksuar shtëpia e vjetër e lindjes, diku renditen vizatimet e peizazheve të Shqipërisë. Kudo kishte diçka nga atdheu për ta sjellë atë në pak metra hapësirë. Nuk ishte ekspozitë dhe as ndonjë muze, ishte shtëpia nga kanë dalë disa prej kryeveprave të letërsisë shqipe.

Veç rreshtave, Dritëroi njihet edhe si politikani që ka ndërtuar pallate prej librash dhe jo prej betoni. Ne nuk mund ta linim pa e ngacmuar pak edhe për politikën.

“Letërsia e mirë është e përjetshme, ndërsa politika është e përkohshme. Ti dhe unë kemi studiuar, më thuaj se cili kryeministër ka qenë në kohën e William Shakespeare? Po këtu në kohën e Ilirëve kush komandant ka qenë që drejtonte? Në kohën e Naimit cili sulltan ka qenë ? Po të kalojnë edhe pak vite mjaft politikanë që aktualisht janë aktivë do të harrohen. P.sh nga viti 1991, 1992, mendoj se të gjithë emrat e deputetëve nuk i mban mend”, gjykonte plaku i urtë Dritëro që jetoi për shumë vite edhe me politikën.

Ndërkohë për Parlamentin aktual ai preferonte të jepte këtë koment:

“Të mos e shohin njëri-tjetrin si armik politikë, por të bashkuar. Ne kur ishim të vegjël nuk e shihnim njëri-tjetrin si armiq, por si shokë. Zemëroheshim, varim buzët, por prapë përqafoheshim. Kështu duhet të jetë edhe politika. Mund të zihesh, por jo t’i thuash, unë të dërmoj, unë të bëj pleh, të bëj këtë apo atë. I keni dëgjuar dhe s’është nevoja t’i përsëris. Ne na duhet që të bëjmë shumë dhe të luftojmë për të bashkuar popullin pa marrë shembull nga grindavecët”, shprehej Agolli.

Libri më i ri i tij që pati mundësi të shfletonte ishte “Prit dhe pak”. Me të Dritëroi i bënte thirrje vdekjes që të priste udhën për t’i shkuar në banesë. Ai premtonte surpriza për lexuesit ku na tregonte se kishte edhe gjysmën e krijimtarisë në arkiva.
“Ky është libri i fundit dhe e kam shkruar në copëza letre. Sadija, gruaja ime e dashur, i mblodhi dhe i dhamë për t’i shtypur në kompjuter dhe doli një libër i ri. ‘Prit dhe pak’ i them botës tjetër se do vijë edhe perëndimi im. Është sipas një vjershe të Gëtes, poetit të Gjermanisë dhe më të madhit të Evropës. Unë kam shumë gjëra për të plotësuar. Kam shumë dorëshkrime të pabotuara dhe besoj se pasardhësit e mi do fusin duart në arkiva dhe do t’i botojnë. Kam romane, tregime, reportazhe dhe mjaft poezi të pabotuara. Kemi surpriza për lexuesit”, tregonte Dritëroi me një dëshirë të madhe për jetën.

Dritëroi dridhej si një shpend i lënduar nga sëmundjet që e kishin gozhduar. Ndaj vjen për herë të parë në përvjetorin e tij të vdekjes në kujtim të kontributit të dhënë për shoqërinë. Ai mbylli sytë pasditen e 2 shkurtit 2017 duke nisur fluturimin e gjatë për të ndriçuar botën e përtejshme. Shkurt, thjesht dhe shqip: Dritëro. /TemA

Comments

comments