Ik nga kurvizmi

0

Majtas e djathtas rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësish. Po të vazhdosh të ecësh mbi këto rrugë, pas pak do çmendesh. Ik. Ik e mos u duk.
Mozaiku kriminal ta mpin trurin. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol. Ik nga kurvizmi kriminal propagandistik, ik nga syt këmbët.
Në bulevard ta err shikimin varri i kurvit. “Është vepër arkitektonike”, “dëshmi historike,” “brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur”, janë gënjeshtra trashanike për të mos i lënë shqiptarët t’i largohen kurvizmit. Ik o ik. Ik si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.
Sheshi tek Pazari i ri mban emrin e një vrasësi me pagesë që e mbajnë për dëshmor. Ik-ik-ik, dhe kurrë mos u kthe.
Krim në familje. Deputetë vrasës. Aleanca parlamentare pa asnjë lidhje me preferencat e elektoratit. Sajesa, shpifje, intriga. Me të tilla dhe të tjera gazetat ta mbushin ballin me djersë dhe trupin me mornica. Mos humb kohë me gazeta. Ik.
Ti duke u ngjitur, ai duke zbritur, këmbehesh nëpër shkallë me një sigurimist që të sheh vëngër sikur i ke vra babën.
Një kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t’i thuash se Sigurimi ishte kriminal, të vret.
Të hysh në Fejsbuk shesh tmerre dhe turpe që kapërxejnë çdo përfytyrim. Femra në kërkim të burrit duke fotografuar veten në një mijë mënyra. Burra-lavire pa asnjë zotësi dhe asnjë talent të cilët në perëndim i ka hedhur sigurimi, burracakë të pështirë që sa më larg të ndodhen aq më trima hiqen. Ik nga këta këllira, ik e mos u duk.
Ke plotësisht të drejtë të mos i shohësh plehrat e sotme dhe të shkuara që të serviren nga televizioni. Nuk durohen. Ik nga kokën këmbët. Janë të gjitha propagandë. Barkaz a me kurriz, duke u përplasur a duke u rrokullisur, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.
Kurvistat më të ndyrë kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të drejtësisë, të gjithave. Ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e kthe.
E ç’të duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi, Kadarea. Ik o budalla, ik. Ik këmbeji kaltërsitë e llogorasë me blozën e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e Thethit me qelbësirat e haleve që do pastrosh.
Ik qafën thefsh. Ik edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madakaskar, ik ku të mundësh. Vetëm në Shqipëri mos rri. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u kthe.
Ik o shqiptar ik. Ik nga kurvizmi.
Ik sa më parë, sa më larg. Hiç mos u sëkëlldis se shqiptarët paksohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria kurrë nuk ka qënë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët nuk kanë qënë kurrë më pak se kanë mundur të jenë.
Mos u merakos se pasi të kesh ikur do vijnë t’i pushtojnë vatrat e ngrohta, shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmi u kultivua me aq zell e pasion dhe në atë masë sa tashmë ka infektuar gjithçka, kurrë dhe askend nuk do ta marri malli t’i popullojë vatrat e ftohura, t’i ëmbëlsoje tokat e helmatisura, t’i ngjalli shtëpitë e vdekura.

Comments

comments